Çmimin për romanin më të mirë në panair e ka marrë libri “Kukullat nuk kanë atdhe” i Flutura Açkës, botim i “Skanderbeg Books” nga Tirana.

 clip_image001

Zv. Ministri i Kulturës Hajdin Abazi duke ia dorëzuar trofeun shkrimtares Flutura Açka

Panairi i 15-të i librit i Prishtinës (3-9 qershor), në darkën solemne të organizuar të   enjten nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ka ndarë çmimet e panairit. Çmimet e         emërtuara varësisht nga fushat e caktuara, pos plaketës u shoqëruan edhe me trofeun e panairit – Hyjneshën në fron, simboli i qytetit të Prishtinës si dhe hotelit Prishtina. Juria në përbërje Ilire Zajmi – Rugova, poete, Anila Xhekaliu, poete, prozatore dhe përkthyese dhe Naim Kelmendi, poet, publicist dhe botues kanë qenë unanime sa i përket ndarjes së çmimeve.

Çmimin për romanin më të mirë në panair e ka marrë libri “Kukullat nuk kanë atdhe” i Flutura Açkës, botim i “Skanderbeg Books” nga Tirana.

Atdheu i pistë i kukullave të Flutura Açkës

Botuar në “Gazeta Shqiptare”, e shtunë 22 qershor 2013

Josif Papagjoni
“Kukullat nuk kanë atdhe” është romani i pestë për nga radha i Flutura Açkës. Në fakt ato, kukullat, “kanë atdhe”. Atdheu i tyre është Shqipëria e pistë, burrat e pistë, mjedisi social i pistë, shpirti i pistë, që së bashku i refuzojnë, nuk iu japin një strehë për të paqtuar shpirtrat. Janë femrat shqiptare, të martuara apo të dashuruara, në prehrin e ndjenjës së bukur e vetësakrifikuese të dashurisë apo në krahët e epsheve dhe seksit, boshësisë dhe shterpësisë intelektuale, viktima burrash të dhunshëm apo që shkaktojnë vetë ato viktima, kësaj radhe ndaj vajzave të keqpërdorura. Romani ka një strukturë të thjeshtë: disa rrëfime, përjetime, ndjeshmëri e fate femrash që janë të rrumbullakësuara si linja të mëvetësishme, pra që kanë integritetin e tyre formal dhe, nga ana tjetër, që janë po ashtu të lidhura, të përziera e të përfshira me njëra-tjetrën. Ajo çka i afron është tema: dhuna ndaj gruas. Sido që forma ndryshon, në thelb është po e njëjta si kur gruaja përdoret si objekt erotik seksual për të fashitur epshet, si kur shihet si një bukuri dhe kaq, si kur përjashtohet apo anashkalohet, ca më shumë kur të qenit grua, bashkëshorte, nënë në raportin në çift merret vetëm në funksione dekorative, riprodhimi e përplotësimi. Personazheve, në të shumtën e herës, nuk u vihen emra, përkundrazi numra: kukulla nr. 6, nr. 66, nr. 13, nr. 30, nr. 69, nr. 107 apo nr. 1024. Në fillim mendja të shkon se shkrimtarja rreket të na thotë se si e para, si e njëqinda, si e njëmijta e më tutje, pozita e femrës në një shoqëri të dominuar nga meshkujt, tejet e dhunshme, është po e njëjta, qofsh një politikane, një balerinë, një gazetare, një muzikante, një menaxhere etj.
Romani vetjakëson tre tipe femrash: ato që ndjehen kukulla, ato që i trajtojnë si kukulla dhe ato që refuzojnë të jenë kukulla. Të parat ndjehen kukulla sepse graviteti i tyre anon nga seksualiteti, nga përulja dhe shërbimi ndaj burrave, ndaj epsheve të tyre të fshehura apo të shfaqura hapur, ndaj orgjive me meshkuj të paguar (xhigolo), gjer edhe femra të atilla që e kanë kthyer seksin dhe manipulimin e vajzave të reja e të bukura në një farë institucioni që trafikon influenca lloje-soje, gjer dhe politike. Dhe kjo ngjet rëndom me disa syresh, të cilat janë pjesë e teprive, zvetënimit, mendjes boshe, shpirtit të zbrazur dhe snobizmit, ashtu sikundër ngjet, ca më keq me gra të shpëlara, të vrazhda dhe të pacipa si kukulla 30, e cila i keqpërdor vajzat-modele të sfilatave të modës për influenca personale apo tregti mishi të bardhë, duke kryer në fakt një vepër penale. Kukulla 30 është një farë zonja Uoren e Berndar Shout në dramën e tij “Profesioni i zonjës Uoren” me një ndryshim, se vajzat e varfra punëtore të provincës te “fabrika” e zonjës Uoren kryenin me dëshirë e vetëdije rolin e prostitutave për të fituar ca para më shumë, përkundrazi në biznesin e kukullës nr. 30 vajzat që lakmojnë e ëndërrojnë të bëhen yje spektaklesh dhe televizionesh, futen në kurth, pra mashtrohen dhe manipulohen qëllimisht, ani pse ndonjëra ia përplas derën në fytyrë pronares. Me gjithë ndonjë rebelim, në fund të fundit edhe ato, si punëtoret provinciale të zonjës Uoren, kanë po të njëjtin përfundim: shfrytëzimin.

***

Kur femra “ndihet” kukull, kjo është ana pasive e saj, ajo e pranon nënshtrimin, madje edhe poshtërimin e burrit apo burrave (shoqërisë maskiline shqiptare). Në këtë rast stigma me të cilën qëllohet në plagë është e natyrës kritike, duke na rrëfyer për rrjedhojë shkallën dhe thellësinë e ndotjes së shoqërisë, tanimë në pjesën e grave. Gra që shfrytëzohen, që e pranojnë shfrytëzimin dhe gra që shfrytëzojnë, që e ngrenë në institucion shfrytëzimin. Pastaj ka dhe ca gra të tjera që zbrazin apo i blejnë me para epshet e trupave të tyre të kalbur, që kthehen në shenja të vdjerrjes morale, kotësisë, zdërhalljes, mungesës së skrupujve, të gjitha këto brenda një keqkuptimi të madh të konceptit të lirisë, moralit dhe dinjitetit njerëzor.
Afërmendsh se në të dyja kahet e kundrimit të dukurisë së pozitës së femrës në shoqërinë e sotme shqiptare: e shfrytëzuar apo shfrytëzuese, kukull apo e personalizuar, viktimë apo luftëtare për të drejtat e veta, që dashuron apo që tradhtohet, grua që braktiset nga indiferenca e burrit dhe grua që çmohet në Epiri nga burri – letërsia në botë i ka tejet të konsumuara e me shumicë rastesh. Po letërsia shqipe? Edhe ajo e ka cekur këtë dukuri, madje në mënyrë tronditëse me Migjenin, ashtu sikundër plot delikatesë e me dhembshuri nga disa romane të Kadaresë, me një ag mistik e si të përndritur nga Besnik Mustafai, me shumë simpati nga Fatos Kongoli, gjithëpo nga Zija Çela etj. Fjala është se tanimë raporti i gruas me burrin, të dashurin dhe dashurinë, seksualitetin dhe feminitetin, gjerazi me shoqërinë shqiptare të pas viteve ’90, vjen si një raport i fundmë ku vështirë të bësh dallimin me letërsinë tjetër që lëvrohet në Evropë. Domethënë se dukuria vetë ka fituar një farë “integriteti” rajonal dhe social të shoqërisë që strukturohet sipas sistemit të përqafuar, më saktë të deformimeve të tij, aq më tepër po të merret parasysh faza e tranzicionit tonë politiko-ekonomik. Sakaq, në roman ndjehet ashiqare “aroma” e gruas shqiptare dhe ndjeshmëritë e saj së fundmi, e problemeve që e shoqërojnë atë. “Kukullimi” i femrës është një fenomen që ka qenë kohë më parë, me sa duket do të kërkojë shumë kohë të tejkalohet, kur te femra-grua-e dashur-nënë, burri të shoh jo dekorin zbukurues për vetveten në raport me dhe para të tjerëve, as vetëm shijen dhe rrëqethjen seksuale, por më së pari dytësin e vet, plotësin, shpirtin e munguar. “Kukullimi” i femrës u prek në mënyrë të mahnitshme e me një guxim të rrallë nga Ibseni 100 e më shumë vjet më parë me dramën e tij “Shtëpi kukulle”, ku raporti burrë-grua shihet pikërisht te rritja e dinjitetit të gruas në familje e shoqëri. Sa shumë kohë i duhet shoqërisë shqiptare, mendësisë sonë, që të mbërrijmë te kjo lartësi.

Aftësia e të  shkruarit bukur

E para gjë që të bie në sy në prozën e Açkës është stili. Një stil që të grish me formën e shpenguar të tij, me fjalën e krehur, me frazat e menduara. Shumë dritë, hir, elegancë dhe ajër ka shkrimtaria e saj. Herë-herë duket ndikimi i fortë i letërsisë së Kadaresë, posaçërisht në mënyrën e të shprehurit të fjalës, mendimit, gjendjeve. Shkrimtarja parapëlqen kompozime të tipit të mozaikut, ku e kuqja e gjakut dhe e zeza e kobit përbëjnë dy ngjyrat më agresive të prozës së saj. Por edhe në poezi: dhimbja, humbja, nga njëra anë dhe dëlirësia, dashuria, nga ana tjetër. Në këto rrafshe përfshihen vetiu edhe mënyrat e thurjes së ndodhive, sensi i kompozimit dhe i harmonisë midis njësive (narracionit, përjetimit, arsyetimit), loja e asociacioneve, përplasjet e metaforave dhe metonimive me shëmbëlltyrat fizike të jetës. E dyta, ndër gjërat më të bukura e me më shumë vlerë tek shkrimtaria e F. Açkës është gjuha. Një gjuhë e përzgjedhur, e krehur, thuajse poetike. Një gjuhë plot lëng, që ka nerv, asht, vlagë. Që është mirëfilli një shqipe e pastër dhe e pasur. Një e atillë gjuhë që përpiqet të bashkojë në një rrjedhë të vetme ujërat e ardhura nga dy shtretër përrenjsh vrapacakë: nga leksiku i vjetër e burimor i shqipes dhe nga leksiku i ri, tok me fjalëformimet. Të dyja këto pësojnë limime, përkëdheli prej sensit poetik të Açkës. Materia gjuhësore është si ai sfungjeri i ngopur, një shqipe plot muskul frazeologjik, plot neologjizma, fjalë të krehura, të prajshme në sintagmën e tyre, ku spikat sqima, eleganca, aftësia për t’u shprehur bukur. E gjithë kjo tretet në stilin e saj, madje më duket se krijon vetë stil. Dhe tok me gjuhën, do të çmoja kulturën. Kjo i jep sharmë e hir poetik romanit, e bën atë më shumë të lexueshëm.

Protagonizmi nga padija dhe paraja rri mirë ndër shqiptarë


Flutura Açka: Protagonizmi nga padija dhe paraja rri mirë ndër shqiptarë

Pyetësori i Prustit

E dini ç’bën shkrimtarja Flutura Açka kur politikanët dalin në ekran? Merr pultin e televizorit, shtyp opsionin “mute” dhe në sytë e saj ata kthehen në kukulla pa zë, për të cilat ajo ka rrëfyer edhe në romanin e saj të fundit “Kukullat nuk kanë atdhe”. Por duket se një tjetër roman që pret të shkruhet ka filluar t’ia trazojë gjumin shkrimtares…

Cila është ideja jote për lumturinë?

Lumturia shpesh është burimi i pakënaqësive tona, projektimi i saj strabik në sytë tanë, ethja për ta zgjatur. Lumturia është matrica e lumturive të vogla të përditshme, që shpesh, ngaqë i shijojmë nxitueshëm, na duken edhe më të shkurtra. Çështja është se si në vjegën e njërës të dimë të lidhim tjetrën, asisoj që radhori i tyre t’i japë kuptim jetës sonë.

Cila është frika më e madhe?

Dikur ishte avioni, tani frika nga ndonjë shofer i marrë në rrugë, nga më e pakta, mund të mbetesh çyryk.

Kë person të gjallë admironi më shumë?

Nuk kam ndonjë admirim akut për ndokënd, të paktën mes të gjallëve, jo. Si qenie biologjike, nuk kam të tillë, por si qenie letrare, kam.

Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Protagonizmi i frymëzuar nga padija ose paraja, ose të dyja bashkë, që duket se ndër shqiptarë rrinë mirë me njëra-tjetrën.

Ekstravaganca jote më e madhe?

Personazhet e mi janë më të ekspozuar ndaj ekstravagancës, unë jam natyrë më diskrete. Edhe një xhaketë të shtrenjtë me dizajn të bunkerëve shqiptarë, të një stilisti holandez (një porosi ca e kripur), dyshoj në ia vlen ta vesh ndonjëherë. Dikur po, kur nuk kishte shumë ngjyra rrotull, kam mbajtur ngjyra shumë të forta, veçmas çorapë e geta.

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Udhëtimi i shpeshtë për të takuar tim bir. Pse jo, të kthehesha sërish në Granada. Vietnami dhe Kamboxhia do të jenë udhëtimi im i ardhshëm, por Afrika mbetet dashuria ime.

Në ç’rast mund të gënjesh?

Një poezi imja e shpjegon rastin e vetëm kur unë mund të gënjej: Më gënjejnë pa turp/dhe unë pa turp i gënjej/duke i dëgjuar/deri në fund.

Personi që përçmon më shumë?

Nuk përçmoj kënd, ka disa njerëz që thjesht i shmang t’i takoj.

Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

‘Sorry’, që ka kuptim të shumëfishtë, dhe jo gjithnjë është ndjesë. Kur jam e zemëruar përdor fjalën ‘lafarak’, edhe në variantin femëror të saj.

Pengu yt më i madh?

Të kisha një vajzë, të kem një vajzë, desha të them…

Kur dhe ku ke qenë e lumtur?

Kam qenë shpesh e lumtur, në pranverë veçmas, në Shqipëri dhe Holandë. Një ditë fundmaji ka qenë edhe dita më e lumtur e jetës sime.

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Kanë filluar pagjumësitë e para, trazimet e një romani të ri, mbase. Një ngathje në komunikim, një gjendje pa trajtë, qysh pas shkarkesës nga një barrë lodhëse si “Kukullat nuk kanë Atdhe”.

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?

Të falja më pak, të harroja më pak.

Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Të ruajturit e thelbit, kjo ngaqë thelbin ia kam varësuar vetëm Fluturës, me të mirat dhe të këqijat e veta. Koha dhe rrethanat i ndryshojnë njerëzit, keqardhja nga metamorfoza e ndonjë mikut tim para syve të mi, më ka dhënë alarmin e kësaj humbjeje.

Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Kalë, kali fle në këmbë, nuk zgërlaqet.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Kam disa të tilla, sendi më i fundit i çmuar është një tufë Proteash që i kam “grabitur” nga Table Mountain, në skajin më jugor të Afrikës.

Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?

Depersonalizimi prej adhurimit ndaj dikujt që ke përballë, veçmas kur ky dikushi e di dhe përkëdhelet nga përulja jote. Idhulli të mbron, nuk të shpërdoron.

Ku do të të pëlqente të jetoje?

Në Firenze.

Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?

Të lexuarit, të bërit dhe të shkruarit libra. Sikur të hiqja dorë nga ndonjëra prej tyre, do të kisha preferuar edhe të shisja libra.

Cila është karakteristika juaj më e spikatur?

Besoj, mirësia, përkushtimi, të qenit e drejtpërdrejtë, gjë që shpesh nuk më ka sjellë dobi.

Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Mençuria dhe të diturit e sjelljes me femrat, edhe në shtrat. Ka meshkuj që nuk e dinë se edhe gruaja ka orgazmë, mjerë ata!

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Feminiliteti. Meshkujt na duan për të kundërtën e vetes.

Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?

Clarice Lispektor, J.M. Coetzee, Virginia Woolf, John Williams, Mishel Houellebecq dhe poetesha Ingrid Jonker.

Cili është heroi yt në art dhe kulturë?

Faruku te “Shtëpia e heshtjes”, dhe Anil te “Fantazmat e Anil”.

Kë ke heronj në jetën reale?

Nuk kam.

Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?

Shija e Brussels Sprout, të vetmen të jeshiltë që nuk e gatuaj. Mitingjet dhe krekosjet e politikanëve shqiptarë nëpër ekrane. Vetëm në vende me civilizim të dyshimtë ndodh kjo. Kur dalin ata në ekran, unë shtyp “mute” dhe ata kthehen në kukulla pa zë. Edhe personazhet e mi e bëjnë këtë, tani edhe shumë e më shumë qytetarë, madje.

Si do të të pëlqente të vdisje?

Duke e ditur, që të mund të përshëndesja njerëz të dashur. Është shumë e rëndësishme të dish si të jetosh, por po aq e rëndësishme të dish si të vdesësh.

Cila është motoja juaj?

Njeriu është ajo çfarë bën.

Po! Kukullat nuk kanë atdhe

Gazeta Java, Nr. 60, E shtunë, 16 mars 2013

Nga 

Kam përshtypjen se shumica e shqiptarëve po ta lexojnë do të skuqen sepse të gjithë jemi në faqet e saj. Të zhveshur me vetëdijen tonë, që e kemi ndyrë frikshëm në vitet e fundit, thjesht prej mbijetesës por edhe dëshirës për të rendur për atë që se meritojmë. Dhe, një përbuzje pa limite është sot tek militantët, ata që janë futur në çdo kapilar të jetës sonë dhe që Kukullat e ngrata e përballin me të keqen.

 Shkrimtarja Flutura Açka i ka dedikuar shumë kohë romanit të fundit. Dhe, nga shtjellimi duket se është lodhur tejet. Nga intensiteti i idesë, por edhe nga ngarkesa e madhe e mbartur. Ideja është e drejtpërdrejtë: Imazhi i gruas si kukull në realitetin shqiptar, por kuptueshmëria e librit e përcjell direkt idenë në të gjithë botën. Femra është një kukull dhe si e tillë duhet përdorur dhe kur nuk vlen më, ia vlen edhe ta hedhësh! Po. Pa asnjë mëdyshje. Të paktën, kështu mendon shoqëria e sotme.

Megjithatë, sikur njerëzit e shumtë, ftuar në promovimin e librit në një nga sallat e Hotel “Tirana”, ta dinin se për çfarë fliste libri, atëherë do të mateshin mirë për të ardhur. Në fakt, kishin ardhur aq shumë, saqë të dukej sikur edhe vetë kukullat, por edhe burrat e kukullave të saj ishin aty duke këqyrur shkrimtaren dhe duke bërë thashethemnajën e zakonshme shqiptare. Për fat të keq, për veten e tyre. Nënzë, ata që e kishin shfletuar fare pak, përmendnin se libri dukej pak si pornografi, të tjerët thjeshtë si dukje duke e përdorur femrën. Përgjigja e shkrimtares nuk vonoi, mu sikur ta dinte të gjithë këtë tollovi, që ne publiku i saj po ia blatonim. Ajo ua bëri të qartë të gjithëve se nuk kishte nevojë për eksperimente, pasi ato ka shumë e shumë shkrimtarë që mund t’i bëjnë, dhe madje pena të paarritshme, por shkrimtari i vërtetë duhet të jetë i lidhur me njerëzit dhe me vendin e vet si edhe me realitetin e tij.

Dhe, në libër, nuk ka shqiptar që nuk do gjej vetveten, një histori të tij, të miqve të vet, apo ngjarje që i ka jetuar dhe i di mirë. Si shkrimtare, ‘handikapin’ e madh të identifikimit të shumë personazheve të tilla dhe ngjarjeve, ajo e ka zgjidhur me një sfumim të lehtë, për ta afruar me kanonet e gjinisë së romanit, që duhet thënë se në këtë rast i kanë dhënë mundësi të shprehet shumë për tematikën që e rrethon. Në dukje, libri i ngjan pak një si revolte femërore, por ajo është një revoltë e një individi për nivelin e sotëm, ku ka arritur shoqëria shqiptare. Është afërmendësh, që në roman do të ketë shumë skena dhe dialogje ku përmendet seksi me fjalët e popullit, por kjo nuk e ul tonin apo e zbut idenë e romanit, veçse e çon te parametrat që autorja i ka kërkuar Unit të saj.

Ndoshta mund të ishte më e thukët me larminë e personazheve të femrave, por me sa duket gjeografinë e tipologjisë së personazheve ajo e përdor për të identifikuar probleme pikërisht nga bota e tyre. Aty gjen gati të gjithë kategoritë shoqërore dhe femrën e sotme, ashtu si edhe mashkullin klishe të suksesshëm, që fillimisht patjetër bën katapultim nga i forti drejt biznesit dhe nga këtu drejt e në politikë. Për shumë syresh ke gati në gojë emrin dhe më shumë akoma romani i ka ngjarjet deri para pak javësh në vitin 2012, gjë e cila tregon se autorja ka një qëndrim të akumuluar deri vonë, të cilin ka dashur ta lindë medoemos. E mbarsur me këtë, ajo nuk ka qëndruar por e ka kryer më së miri idenë e vet:”Kukullat kanë vuajtje në çdo vend, kurse ky vallë vend, ku ato sorrollaten të mjera, të vetëkënaqura, guximtare, plot detyra a është vallë, ai atdheu që meritojmë? Harruam dhe se të gjithë personazhet kanë identifikime konvencionale. Kjo e bën të qartë idenë: Ato janë thjesht për përdorim. Kushdoqoftë. Përmes një personazhi të qashtër: Kukullës 13, që ka një fund tragjik, ashtu si personazhi i dytë i njohur si Kukulla 6, ajo na jep një diagramë që lëviz me humorin e këtyre grave të lira, të cilat më kot përpiqen të qesëndisin disi moralin e kohës, që duhet thënë se është shumë i vështirë, për t’u respektuar më. Ato janë të ashpra, në një moment dhe me vetë miken e tyre: Marta Martisë. Flutura, kam përshtypjen, se e identifikon veten pak me të, por në një mënyrë krejt tjetër, që nuk do ta bëjë si ajo krijimtarinë. Me anë të personazhit të saj të dashur Kukullës së 13 na thotë fjalët, me të cilat kritikon disi edhe veten: “por as ajo, që kishte një penë të tillë, që mund të orientonte opinione, që mund të ishte në krye të opozitës mendore, jo të opozitës politike, nuk bënte asgjë, vetëm heshtette, heshtette, ose më mirë fshihej pas fictionit, për të thënë të vërtetat që duhen thënë hapur”.

Këtë vërejtje e meritojnë të gjithë shkrimtarët tanë të kohës, që në përpjekje për të imituar bashkëkohësit, por më shumë klasikët, e fusin lexuesin në qerthulle që ngjajnë krejt painteres për lexuesin. Ndoshta bota mashkullore duhej të ishte më prezente në libër dhe të ishte e parë me më shumë frymë, por me sa duket domeni i saj ka qenë krejt bota femërore dhe dukja nga ajo. Rrëfimi është i jashtëm dhe nuk rrëfehet nga një personazh i vetëm, një mënyrë që autorja e ka zgjedhur me sa duket, për të na treguar më lehtë dhe fare direkt se morali dhe dinjiteti i vërtetë janë mbi të gjitha. Momenti i fundit i Rubit, dhe tragjedia e Kukullës 13, bashkë me fatkeqësinë e Kukullës 6, janë pikat kulmore të romanit, ku merr fund kreshendoja e saj në vepër për t’i lënë fund tatëpjetës ose dorëzimit para kësaj situate.

Kam përshtypjen se shumica e shqiptarëve po ta lexojnë do të skuqen sepse të gjithë jemi në faqet e saj. Të zhveshur me vetëdijen tonë, që e kemi ndyrë frikshëm në vitet e fundit, thjesht prej mbijetesës por edhe dëshirës për të rendur për atë që se meritojmë. Dhe, një përbuzje pa limite është sot tek militantët, ata që janë futur në çdo kapilar të jetës sonë dhe që Kukullat e ngrata e përballin me të keqen. 

Në fakt, të gjithë njerëzit e kësaj kohe e jo vetëm femrat jemi kukulla, që përdoremi nga kushdo…për të keqen, që ka fituar dhe triumfuar prej kohës ndaj të mirës.

Është romani më i mirë i Fluturës dhe ku tregon jo vetëm pjekurinë por karakterin dhe më shumë nga të gjitha shqetësimin e saj qytetar. Ndoshta edhe një shembull për shumë kinse që pretendojnë se bëjnë përpjekje të mëdha në prozë qoftë në formë apo në ide. Romani duhet t’u shërbejë njerëzve, të lexohet prej tyre dhe të ngjallë veç emocioneve të kategorive estetike dhe rrugën për të vërtetën…ose si në këtë rast të na kujtojë batakun ku po jetojmë të gjithë.

          

Reflektim pas leximit të romanit “Kukullat nuk kanë Atdhe” të shkrimtares Fl utura Açka

Rezarta Reçi, gazetare

Përse duhet lexuar “Kukullat nuk kanë Atdhe”, romani më i fundit i shkrimtares Flutura Açka?

Një roman i fortë, fshikullues i një realiteti të përditshëm dhe të përvitshëm, që të vë në qendër të ngjarjeve, duke të bërë të ndjekësh me ankth dhe qëndrim fatin e Kukullave që lëvizin në një atdhe të sotëm… të gjithë, së bashku me Atdheun, në kërkim të një fytyre, të një brendësie, të një personaliteti, dikush me tentacionin për të fituar lehtësisht e pa mund çdo gjë, e dikush tjetër duke u përpjekur të reflektojë, të jetë i ndershëm, me parime, pak idealist, a dikush tjetër në udhëkryq, pa ditur cilin drejtim të marrë, i turbulluar mes dilemave dhe pavendosmërive… ngjarje, Kukulla, vajza-gra, e pas tyre, ata, burrat, të fuqishmit e të pafuqishmit njëkohshëm, të cilët kanë dhe nuk kanë në dorë të jenë Burra prej vërteti.

E në këtë skenë ku hyjnë e dalin personazhe me jetët e tyre të udhëkryqta, ku hera-herës të bëhet të besosh tek fuqia e dashurisë, e hera-herës zhgënjehesh bashkë me kukullat e ankandit, e ndjen se Paraja, Materialja ka tronditur themelet e një jetese, traditën e një mënyre të jetuari. Pas Kukullave dhe fatit të tyre të paparashikuar, ti ndien fijet e holla të pushtetit e të parasë që buron prej pushtetit që të zhvendosin bazamentet e skenës, të trondisin realitetin e mundimshëm.

Të kesh apo të jesh? Është dilema afro 20-vjeçare që shoqëron shqiptarët në këtë sfidë të gjatë transitive, ku të gjithë jemi ribërë e zhbërë hera-herës në kërkim të vetvetes, në kërkim të një jete më të mirë, në kërkim të realizimit të ëndrrave…

Jeton me të gjitha fatet e personazheve kukulla, duke shfletuar faqe pas faqeje romanin “Kukullat nuk kanë Atdhe”, përcjell çdo brengë, revoltë a ngashërim personazhi, përjeton realshëm çdo skenë, revoltohesh me autoren a vihesh në provë për të bërë përzgjedhjet… por, derisa mbërrin në faqet e fundit të romanit, ti ndien se të ka shoqëruar tronditja, hera-herës të ka përmbytur trishtimi, hera-herës je ndier i pafuqishëm për të ndikuar sadopak në shpëtimin e ndonje kukulle në udhëkryq, hera-herës ke thënë me vete “sa mirë që nuk ngjaj me këtë’… e në fund, kur është mbyllur dhe faqja e fundit e librit, të kujtohet patjetër vargu migjenian dhe kërkon një grusht të fuqishëm, malit që s’bëzan me ia njeshë… dhe admiron kurajon e shkrimtares Açka për të sensibilizuar një shoqëri në udhëkryq e të hallakatur, për pak më shumë vëmendje për dinjitetin dhe personalitetin njerezor, që vlen më shume se një mal me para…

 

10 mars 2013